GJUHË
Për shkak të përkthimeve, botimi i Revistës së NATO-s në gjuhët arabe, hungareze e të tjera, shfaqet në internet përafërsisht dy javë pas versionit në anglisht.
RRETH REVISTËS SË NATO-s
RREGULLAT E PARAQITJES
INFORMACION MBI TË DREJTËN E AUTORIT
EKIPI I REDAKSISË
 RSS
DËRGOJANI KËTË ARTIKULL NJË MIKU
PAJTOHUNI NË REVISTËN E NATO-s
  

Barra e një fitoreje të thellë zgjedhjesh: një Japoni e re?

Pas më shumë se 50 vjet pothuajse pandërprerje të Partisë Liberale Demokratike (LDP) në qeverisje, Japonia ka lëvizur në një drejtim të ri pas zgjedhjeve të saj të përgjithshme të muajit gusht 2009. Partia Demokratike e Japonisë (DPJ) fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vendit me një epërsi të beftë mjaft të lartë - duke tejkaluar madje edhe parashikimet e veta. Dhe sado që disa anëtarë të DPJ-së e filluan karrierën e tyre në LDP, qeveria e re duket se do të jetë serioze për krijimin e një Japonie të re.

Kryeministri Hatoiama e bëri të qartë shtatorin e kaluar, kur foli për një “Japoni të re” gjatë fjalimit të tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: një Japoni që do të përfshihet në shqyrtimin e sfidave botërore, të tilla si ndryshimi i klimës, mospërhapja apo çarmatimi bërthamor botëror dhe ngritja e Bashkësisë së Azisë Lindore.

© Rojter/Ho Nju

Përsa i përket ndryshimit të klimës, shumë njerëz ende e lidhin Japoninë me Konferencën e mirënjohur të Kiotos, e cila synon të caktojë caqe për çlirimin e karbonit. Por Japonia nuk ka qenë shumë e suksesshme në trajtimin e çështjeve mjedisore. Sot, ajo prodhon 9,2% më shumë gazra serrë sesa më 1999. Prej dhjetëvjeçarësh, në Japoni kanë munguar rregullat dhe objektivat e qëndrueshëm për mbrojtjen e mjedisit, duke e lënë veprimtarinë tregtare në kushtet e vetërregullimit.

Tani, Kryeministri i ri Hatoyama, ka premtuar që, aty rreth viteve 2020, do të rritet deri në 25% objektivi për zvogëlimin e çlirimit të gazeve, krahasuar me nivelet e viteve 1990. Dhe në fillim të dhjetorit, qeveria njoftoi një paketë nxitëse ekonomike prej 80 miliardë dollarësh, që përfshinte oferta të shumta tërheqëse për blerje automjetesh dhe pajisjesh shtëpiake të përshtatshme mjedisore.

Por kryeministri Hatoiama pohoi në Konferencën e Kopenhagenit të dhjetorit lidhur me ndryshimet klimatike se procesi i ndryshimit do të jetë i vështirë, duke patur parasysh interesat vetjakë të industrisë (dhe vlen të përmendet se këto interesa shtrihen madje deri në sektorin publik - jo më pak se në Ministritë e fuqishme të Ekonomisë, të Tregtisë dhe të Industrisë).

Qeveria e re jo vetëm që duhet të përmirësojë cilësinë e jetës në Japoni, por edhe të shërbejë si një shembull i rëndësishëm për vendet në zhvillim. Japonia duhet të ndihmojë në ecurinë e rritjes ekonomike të këtyre vendeve me anë të shkëmbimit të përvojave dhe të teknologjive të veta: diçka që Kryeministri Hatoiama e pohoi në Kopenhagë, kur ai njoftoi ndihmën financiare për vendet në zhvillim.

Mirëpo, ky zotim financiar, ashtu si dhe premtimi i Japonisë në Marrëveshjen e Kopenhagenit për zvogëlimin deri në 25% të çlirimit të karbonit, është “i kushtëzuar me krijimin e një kuadri ligjor të drejtë dhe veprues ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë të gjitha ekonomitë e mëdha dhe mbi bazën e marrrëveshjeve të tyre për të arritur objektiva ambiciozë”. Ndonëse në dukje mjaft i ngurtë, ky parakusht lë hapësirë të mjaftueshme veprimi për qasje praktike nëse lind e nevojshme.

© Rojter/Toshijuki Aizava

Historia e Japonisë shpjegohet në një masë të mjaftueshme me mbështetjen e saj të hershme disa dhjetëvjeçarëshe për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe çarmatimin e përgjithshëm bërthamor. Ajo ndjek një politikë të moszotërimit, të mosprodhimit dhe të mospranimit të armëve bërthamore. Në Takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe Çarmatimin Bërthamor, në shtator 2009, kryeministri Hatoiama kumtoi qëllimin e Japonisë për të marrë rolin udhëheqës në asgjësimi n e armëve bërthamore. Siç pritej, një nga “çështjet për veprim” i referohej Koresë së Veriut.

Ndërsa Japonia dhe pjesa tjetër e botës janë të shqetësuar rreth zhvillimit bërthamor të Koresë së Veriut, Japonia ka një çështje tjetër që lidhet me këtë vend. Më 2002, Koreja e Veriut pranoi që kishte rrëmbyer qytetarë japonezë në vitet 1970 dhe 1980. Japonia deklaroi se nuk do të kishte normalizim të marrëdhënieve midis Japonisë dhe Koresë së Veriut përderisa të zgjidhej kjo çështje dhe e parashtroi atë në Bisedimet e Gjashtë Palëve. Ndonëse e vështirë, qeveria e re do të duhet të bëjë çlidhjen e këtyre dy çështjeve, nëse dëshiron të udhëheqë me sukses përpjekjet ndihmuese për mënjanimin e armëve bërthamore.

Deri më tani, pëpjekjet e punës së qeverisë kanë çuar në një rezolutë mbi çarmatimin bërthamor, paraqitur nga Japonia së toku me një numër të lartë prej 87 bashkëmbështetës financimi dhe të miratuar nga Kombet e Bashkuara në fillim të dhjetorit me një shumicë dërrmuese prej 171 votash, me vetëm dy kundra dhe tetë abstenime.

Hapi tjetër i qeverisë së re do të jetë që të përfitojë nga njëqindvjetori i aneksimit të Gadishullit Korean prej Japonisë për të forcuar marrëdhëniet e saj me Korenë e Jugut. Këto diskutime me Korenë e Jugut nuk do të jenë të lehta: por sidoqoftë, përpjekjet e përbashkëta janë të nevojshme për të gjetur një rrugëzgjidhje në të ardhmen lidhur me zhvillimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe ndikimi i Koresë së Jugut do të jetë me rëndësi vendimtare.

Gjithashtu, pozitiv është synimi i qeverisë së re për të hedhur dritë mbi të ashtuquajturat marrëveshje të fshehta që lejonin ndalesa të shkurtra fshehtas në Japoni të anijeve dhe aeroplanëve me armatim bërthamor të SHBA-ve. Për një shtet të prirur ndaj një politike moslejimi të çështjeve të tilla, ky hetim është një hap i arsyeshëm.

© Rojter/Juriko Nakao

Një aspekt që nuk ka ndryshuar me qeverinë e re është koncepti i një Bashkësie të Azisë Lindore, që përbën tiparin themelor të diplomacisë aziatike të Japonisë. Kryeministri Hatoiama e sheh Bashkësinë e Azisë Lindore si një zgjerim të bashkëpunimit ekzistues të arritur dhe, me sa duket, synon t’i kushtojë vëmendje edhe më të madhe Azisë. Japonia do të kërkojë të tërheqë vendet aziatike drejt integrimit në një treg të përbashkët. Tejpamësia ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit në fusha të tilla, si energjia, mjedisi e shkëmbimi kulturor dhe, veçanërisht, financa, tregtia dhe ekonomia.

Një numër organizatash dhe mekanizmash rajonalë janë shfaqur tashmë, janë pleksur me mbipalosje rendesh dite dhe parimesh si "tregtia e para, mandej politika". Por për t’i dhënë trajtë në mënyrë të suksesshme një Bashkësie të Azisë Lindore është e nevojshme t’u jepet përgjigje disa pyetjeve. Çfarë do të sigurojë Bashkësia e Azisë Lindore që organizatat dhe mekanizmat ekzistues nuk mund ta arrijnë? Nga cilat organizata apo mekanizma do të krijohet kjo bashkësi, duke pasur parasysh që Kina ka një pikëpamje të ndryshme të përbërjes së tregut? Aktualisht, Kina përkrah ASEAN-in Plus Tre (ASEAN-i plus Kina, Korea e Jugut, Japonia), ndërsa Japonia mbështet një mekanizëm të kohëve të fundit, Takimin e Azisë Lindore, (të përbërë nga ASEAN-i Plus Tre, plus India, Zelanda e Re dhe Australia). Së fundi, por mjaft e rëndësishme, a do të vlerësohen Shtetet e Bashkuara si një anëtar i ardhshëm?

Ngazëllimi i Kryeministrit Hatoiama për Bashkësinë e Azisë Lindore duket se buron nga qëllimi i tij për të nxjerrë në dukje udhëheqësinë japoneze në Azi dhe si një lëvizje shmangëse nga politika e jashtme e qendrorizuar amerikane. Referimet e përsëritura të qeverisë së re për Azinë dhe Bashkësinë e Azisë Lindore tregojnë se ajo dëshiron të zgjerojë mundësitë e politikës së saj të jashtme nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve përtej lidhjeve të saj të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Por Hatoiama e di se Bashkësia e Azisë Lindore është një pikësynim afatgjatë dhe se ngazëllimi për të jashtë Japonisë është disi i kufizuar, veçanërisht nëse vështrohet si mjet për një arkitekturë të ardhme të sigurisë rajonale.

Ndërsa tani nuk është ende koha e përshtatshme për vendim, diskutimi i natyrës së ardhme të aleancës SHBA-Japoni është në pikën kulmore. Traktati i Sigurisë së Ndërsjellë SHBA-Japoni është i njohur në të gjithë rajonin e Azi-Paqësorit për ndikimin e tij stabilizues. Megjithatë, 50-vjetori i Traktatit, i festuar në mes të janarit, përkon me të njëjtën kohë të mospajtimeve midis qeverisë së re të Japonisë dhe të Shteteve të Bashkuara, të shkaktuara nga premtimi i DPJ-së ndaj popullit të Okinavës për të rishikuar çështjen e riorganizimit të forcave të SHBA-ve në Japoni.

Ndërkohë që këto mospajtime mund të mos jenë sheshuar, duket e parakohshme të hamendësohet një mungesë angazhimi ndaj aleancës. Sidoqoftë, vendosmëria e qeverisë së re me prirje kahlëvizëse drejt një politike të jashtme më të përqendruar rreth Azisë, nuk duhet të nënvlerësohet. Për qeverinë e re, kjo nuk ka të bëjë me zgjedhjen mes Azisë dhe Shteteve të Bashkuara, por me shtrirjen e hapësirës së vet për manovrim.

© Rojter/Juriko Nakao

Shqetësimeve të brendshme të shteteve u kushtohet pak vëmendje jashtë kufijve të veta, por siç thotë edhe fjala e urtë, gjithë politikat janë lokale. Programi politik i DPJ-së për zgjedhjet e kishte parasysh këtë dhe, tani që janë fituar zgjedhjet, vendin kryesor në rendin e ditës e zënë sfidat e brendshme të Japonisë.

Ndërmjet tyre është shqyrtimi i një sistemi që lejoi burokratët të kenë përparësi në politikë. DPJ tashmë ka ndërmarrë disa veprime korrigjuese duke treguar vendosmërinë e saj për ta shfuqizuar atë. Sfida të tjera përfshijnë një popullsi drejt një mplakjeje të shpejtë, rënie të numrit të lindjeve, rritje të shpenzimeve për kujdesin shëndetësor, një sistem i rrezikuar pensioni dhe varësi të bashkësive lokale nga trilionat e jenëve qeveritarë për projekte të infrastrukturës.

Tradita e shpenzimeve publike tejet të mëdha ka krijuar një borxh kombëtar japonez, që është nga më të mëdhenjtë e vendeve të zhvilluara. Mbetet për të parë nëse qeveria e re mund të përshtasë në mënyrë të barasvlershme mungesat e mëdha të pritshme në të ardhurat tatimore me anën e një pakete nxitëse ekonomike tepër të madhe. Brenda vendit lind pyetja se sa kohë do t’i japë elektorati qeverisë së re për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Zgjedhjet e ardhshme për Senatin pritet të mbahen në korrik 2010. Deri atëherë do të jetë e vështirë të mos ngarkohet me përgjegjësi për gjendjen, madje edhe pse në një masë të madhe ajo ka evoluar për mbi 50 vjet. Përveç kësaj, ka edhe shenja se skandalet e DPJ-së me fondet po e pakësojnë mbështetjen e zgjedhësve të tyre.

Me gjithë këto çështje të brendshme, sa kohë, forca dhe burime mund të përdoren për sfidat ndërkombëtare, prej të cilave ato të lartpërmendurat përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël?

Kjo do të varet nga shkalla e mundësisë së rigjallërimit të ekonomisë së amullt japoneze. Kjo është baza e saj kryesore për ushtrimin e ndikimit. Në Azi, ajo përcakton vendosjen e marrëdhënieve me Kinën - dhe fuqinë e saj në rritje - në rendin e ditës të Japonisë. Qëllimi nuk është për të fituar një garë kundër Kinës, por për të përfituar nga ndërvarësia e anasjellë përplotësuese.

Ekonomia e Japonisë ka një varësi të madhe nga kërkesa e tregut të jashtëm. Për këtë arsye, kohët e fundit, DPJ-ja ka paraqitur një strategji ekonomike që, jo vetëm nxjerr në pah nevojën për të nxitur rritjen e brendshme, por përcakton edhe mundësinë e bashkëpunimit të ardhshëm rajonal. Fqinjët aziatikë të Japonisë kanë tregje të mëdha dhe, meqë ekonomitë e tyre të shumëllojshme ndryshojnë së tepërmi, kjo mund t’i tërheqë ata për të përfituar ndërsjelltas nga fuqitë individuale dhe për të forcuar bashkëpunimin.

Ndikimet e projektdetyrave të Kryeministrit Hatoiama do të shfaqen në çështje të sigurisë, si në ato afatgjata dhe në të kohës së sotme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një shtet që e përcakton kryesisht rolin e tij në sigurinë ndërkombëtare nëpërmjet vënies në përdorim nga ana e vet të një mase të madhe të buxhetit të Ndihmës Zyrtare për Zhvillim (ODA) në qeverisje, rindërtim, ngritje aftësish dhe në aspektin humanitar.

Kjo ODA tashmë ka arritur rezultate të spikatura në Afganistan. Që prej rrëzimit të Talibanit, Japonia ka luajtur një rol të rëndësishëm në rindërtimin e vendit të rrënuar nga lufta. Paketa më e fundit e ndihmës së saj, e shpallur në nëntor, llogaritet në 5 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, duke u përqendruar në rindërtimin, në sigurinë dhe në jetesën.

Theksi do të vihet në Policinë Kombëtare dhe në riintegrimin e ish-luftëtarëve nëpërmjet sigurimit të përgatitjes profesionale. Gjithashtu do të mbështetet bujqësia, zhvillimi i zonave fshatare, arsimi, shëndetësia dhe nevojat e tjera themelore. Meqenëse në këtë paketë ndihme është përfshirë edhe Pakistani, kjo tregon objektivin e Japonisë për të rritur stabilitetin e Afganistanit nëpërmjet një qasjeje rajonale.

Kështu që një ringjallje ekonomike japoneze është e domosdoshme jo vetëm për arsye të brendshme. Bota dhe, në veçanti fqinjët e Japonisë, kanë vënë re një ndryshim qëndrimi dhe një mënyrë tjetër nxitëse nga qeveria e re e Japonisë. Ata do ta vëzhgojnë nga afër përparimin e “Japonisë së Re”.

Siç ka theksuar Kryeministri Hatoiama, fitorja e thellë e DPJ-ë sjell përgjegjësi të mëdha. Vendosmëria e qeverisë së re për transformim është e gjithëpranishme; por sidoqoftë, populli japonez dhe bashkësia ndërkombëtare do të kërkojnë prova bindëse që transformim do të thotë përmirësim.

Kjo do të varet nga shkalla e mundësisë së rigjallërimit të ekonomisë së amullt japoneze. Çështje parash. Kjo është baza për ushtrimin e ndikimit dhe prandaj Japonia duhet të veprojë me ngutësi dhe të gjejë mjetet që të ushtrojë financim me huamarrje për të shmangur veçimin. Me synimin nga Azia, që i ka mbështetur marrëdhënit te Kina dhe te besimi në çështjet e zotuara nga Japonia. Qëllimi nuk është për të fituar një garë kundër Kinës, por për të përfituar nga ndërvarësia e anasjellë përplotësuese.

Të vetëdijshëm për varësinë e madhe të Japonisë ndaj tregut të jashtëm, DPJ-ja ka paraqitur kohët e fundit një strategji ekonomike, që jo vetëm nxjerr në pah nevojën për të nxitur rritjen e brendshme, por përcakton edhe mundësinë e bashkëpunimit të ardhshëm rajonal. Fqinjët aziatikë të Japonisë kanë tregje të mëdha për të ofruar dhe, meqë ekonomitë e tyre vetjake ndryshojnë së tepërmi, kjo mund t’i tërheqë ata për të përfituar ndërsjelltas nga fuqitë individuale dhe për të forcuar bashkëpunimin.

Ndikimet e projektdetyrave të Kryeministrit Hatoiama do të shfaqen në çështje të sigurisë, si në ato afatgjata dhe në të kohës së sotme. Kjo është me rëndësi të veçantë për një shtet që e përcakton rolin e tij në sigurinë ndërkombëtare nëpërmjet vënies në përdorim nga ana e vet të një mase të madhe të buxhetit të Ndihmës Zyrtare për Zhvillim (ODA) në qeverisje, rindërtim, ngritje aftësish dhe në aspektin humanitar. Kështu që zgjidhja e çështjeve ekonomike të Japonisë është e domosdoshme jo vetëm për arsye të brendshme.

Bota dhe, në veçanti fqinjët e Japonisë, kanë përqendruar më shumë vëmendjen në ndryshimin e qëndrimit dhe të mënyrave nxitëse të qeverisë së re të Japonisë. Ata do ta vëzhgojnë nga afër përparimin e “Japonisë së Re”. Siç ka theksuar Kryeministri Hatoiama, fitorja e thellë e DPJ-ë sjell përgjegjësi të mëdha. Vendosmëria e qeverisë së re për transformim është e gjithëpranishme; por sidoqoftë, ajo ka ende detyrim para popullit japonez dhe bashkësisë ndërkombëtare për të shfaqur prova të qëndrueshme se gjendja ka filluar të përmirësohet krahasuar me më parë.

Shpërndajeni këtë:    DiggIt   MySpace   Facebook   Delicious   Permalink